Ish-shefi i OKB-së nuk do të garojë për president në Korenë e Jugut

01/02/2017 00:00

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon njoftoi këtë të mërkurë se nuk do të kandidojë për president të Koresë së Jugut, një lëvizje surprizë që eliminon kështu një figurë të konsideruar kyçe në garën për të zëvendësuar presidenten nën hetim Park Geun-hye, e që nxit më tej politikën tashmë të trazuar të vendit.

Tërheqja e Ban, i cili është konsideruar si i vetmi pretendent i rëndësishëm i konservatorëve, rrit më shumë shpresat e liberalit Moon Jae-in, i cili rezulton edhe më i pëlqyeri sipas sondazheve të fundit, që pas nisjes së hetimeve të Park në dhjetor.

Gjatë një konference të organizuar me ngulm, Ban tha se dëshironte të përdorte eksperiencën e tij 10-vjeçare si shef i OKB-së për të zgjidhur krizën kombëtare dhe për të arritur unitetin në vend. Por, ai shtoi se “patriotizmi i pastër” dhe shtysa për reforma politike janë dëmtuar rëndë nga shpifjet politike dhe nga disa “lajme të rreme” që kanë shënjestruar edhe atë vet.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por dihet që Ban Ki-moon është përballur me kritika nga mediet mbi kompetencat e tij politike dhe akuzat për korrupsion.

“Jam zhgënjyer shumë edhe nga sjelljet e vjetëruara, mendjengushta të disa politikanëve, ndaj kam arritur në përfundimin se do të ishte e pakuptimtë të punoj bashkë me ta”, tha ai.

Politika në Korenë e Jugut është trazuar nga një skandal masiv që përfshin Park dhe një te besuarën e saj, e që detyroi me miliona qytetarë të dilnin rrugëve në shenjë proteste. Prokurorët akuzojnë Parkun se ka lejuar mikeshën e saj, Choi Soon-sil të ketë arritur marrëveshje me të për të rrëmbyer parà nga bizneset.

Park po gjykohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë në fund nëse do të konfirmojë hetimin e saj apo do ta rikthejë atë në detyrë. Nëse ajo rrëzohet, zgjedhjet presidenciale që ishin parashikuar për në dhjetor, do të mbaheshin realisht brenda dy muajve.

Ban, një ish-ministër i Jashtëm i Koresë së Jugut, shprehu fillimisht interes të konsiderueshëm në politikën e vendit të tij, pasi udhëhoqi Kombet e Bashkuara, e po shihej gjerësisht si një testues i “ujërave politike” përpara se të shpallte kandidaturën e tij.

Top Channel