Rruga po merr rolin e opozitës në Rumani. Me mijëra protestues të zemëruar kanë mbushur sërish qendrën e Bukureshtit me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë, pas zbutjes së kuadrit ligjor për rastet e korrupsionit.

Duke i quajtur politikanët “hajdutë” e “tradhtarë”, tubuesit këmbëngulin se dekreti qeveritar përbën një hap gjigant prapa nga reformat e dekadës së fundit. Ata mendojnë se ligji i amnistisë i pastron praktikisht politikanët nga mëkatet e veta e u lejon të mbajnë gjithçka që kanë arritur në mënyrë ilegale.

“Jemi këtu për të protestuar kundër metodave imorale dhe të stilit mafioz që përdor kjo qeveri. Votojnë natën si hajdutët një ligj, i cili u jep politikanëve dhe zyrtarëve publikë, që u shërbejnë atyre, të drejtën të vjedhin 44 mijë euro. Jam këtu për të ardhmen e fëmijëve të mi. Dua që kjo qeveri të largohet, dua ta anulojnë dekretin, nuk dua të publikohet fare”, tha një protestues.

Disa prokurorë si Laura Codruta Kövesi e shohin lëvizjen e ekzekutivit si “çek të bardhë” për të abuzuar me pushtetin. “Dekreti urgjent do ta dëmtojë shumë luftën kundër korrupsionit”, shprehet ajo. “Nëse projekti miratohet, kjo luftë praktikisht nuk do të ketë më asnjë rëndësi”.

Ekzekutivi rumun pretendon se masa për shfajësimin e atyre që kanë shkaktuar më pak se 44 mijë euro dëme synon lehtësimin e mbipopullimit të burgjeve. Prokurorët kujtojnë se gati 2.000 persona të përfshirë në raste abuzimi me pushtetin kanë shkaktuar një dëm, që përgjatë 3 viteve të fundit mbërrin në total gati një miliard euro.

Në hetim janë aktualisht disa politikanë në zë të vendit, përfshirë këtu edhe udhëheqësin e socialdemokratëve në pushtet, Liviu Dragnea. Të majtët i morën frerët e pushtetit në Rumani në muajin dhjetor, me premtimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Por një muaj më vonë, ata janë arsyeja e protestave më të mëdha në vend që prej 1989-s. Masat e parashikuara në ligj përfshijnë edhe faljen e të dënuarve me më pak se 5 vite burg, për kryerjen e disa krimeve jo të dhunshme.

Top Channel