Prishtinë, Shpend Ahmeti pret përfaqësuesen speciale të BE-së në Kosovë

01/02/2017 00:00

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur në takim shefen e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesen Speciale të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Në takim u diskutua situata e përgjithshme në Kosovë dhe roli i BE-së, me theks të veçantë në qeverisje lokale.

Apostolova shprehu shqetësimin e saj për ndotjen e ajrit në Prishtinë, si problem që është paraqitur dhe u interesua për infrastrukturën rreth Pallatit të Drejtësisë në Hajvali, që është ndërtuar me investime të BE-së.
 
Kryetari Ahmeti shpjegoi se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë disa masa në uljen e ndotjes së ajrit, siç janë projekti i kogjenerimit për ngrohjen qendrore, mbjelljen e rreth 3000 fidanëve dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbëra, reformimin e transportit publik me 51 autobusë të rinj me emitim të ulët të gazrave, por vuri në pah se ndotja më e madhe vjen prej termocentraleve dhe emitimit të gazrave nga makinat e vjetra që qarkullojnë në qytet.
 
Kryetari Ahmeti e njoftoi Apostolovën për Planin e Mobilitetit, i cili do të zhvillojë një funksionim të plotë të qarkullimit në qytetin e Prishtinës, nga i cili do të përfitojnë edhe pjesët periferike të qytetit. Në këtë aspekt ai e permendi edhe Pallatin e Drejtësisë, i cili do të ketë infrastrukturë të rregulluar rrugore dhe linjë të rregullt të transportit publik.

Top Channel