Francë, “përditësohen” akuzat ndaj Fillon

31/01/2017 00:00

Kandidati presidencial i qendrës së djathtë në Francë, François Fillon duket se ka rënë prè e akuzave të reja në ditën kur Policia Antikorrupsion bastisi zyrën e tij në Parlament.

E përditshmja satirike “Le Canard Enchaine” njoftoi javën e kaluar se bashkëshortja e tij ishte paguar me qindra mijëra euro për një punë që ajo nuk e ka bërë. Tashmë, akuza e re ka të bëjë me faktin se gruaja e tij ka përfituar shumë herë më shumë parà dhe për një kohë më të gjatë nga sa ishte menduar.

Fillon reagoi ndaj raportimit të fundit, duke i quajtur këto pretendime si një fushatë enkas për të shkatërruar kandidimin e tij.

“Kurrë në historinë e Republikës së Pestë franceze nuk ka pasur një operacion për shpifje shumë profesionale në përpjekje për të eliminuar një kandidat”, është shprehur ai.

Më herët, Fillon kishte këmbëngulur se qoftë ai, ashtu dhe bashkëshortja e tij nuk kishin asgjë për të fshehur. Drejtues të fushatës së tij kanë thënë për “Le Monde” se akuzat e reja nuk ndryshojnë asgjë, por thjesht japin një shifër më mbresëlënëse. Megjithatë, reputacioni dhe parashikimet e sondazheve për të janë goditur ndjeshëm nga këto pretendime.

Gazeta në fjalë informoi këtë të martë se bashkëshortja Penelope Fillon, e lindur në Uells, është paguar me 830 mijë euro për një detyrë si ndihmësparlamentare e të shoqit dhe për të qenit zëvendëse e tij përgjatë dy periudhave, shumë herë më shumë nga 330 mijë eurot e pretenduara fillimisht.

Ndërkohë, dy prej fëmijëve të çiftit – sipas të përditshmes satirike, – janë paguar me 84 mijë euro për detyrat e asistentëve parlamentarë të të atit. Fillon, nga ana e tij, ka thënë se i kishte punësuar dy fëmijët për detyra specifike.

Parlamentarët dhe senatorët në Francë lejohen të punësojnë pjesëtarë të familjes, por “Le Canard Enchaine” thotë se nuk ka gjetur kurrë prova se Penelope Fillon ka bërë diçka në postet për të cilat është paguar.

Çifti në fjalë është marrë në pyetje ndarazi gjatë së hënës nga prokurorët, për më shumë se 5 orë, si pjesë e hetimeve paraprake që mund ose nuk mund të çojnë në nisjen e hetimeve formale. Mëngjesin e së martës, Policia Antikorrupsion bastisi zyrat parlamentare, siç raportohet për të kërkuar kontratat e punësimit të Fillon.

Top Channel