Maqedonia, sytë nga Ivanov. Ende nuk dihet kush do të mandatohet

31/01/2017 00:00

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov ka bërë lëvizjen e parë për veprimet e reja, pas “status quo”-së së krijuar në mungesë të një mazhorance që nuk u arrit të formohet.

Kreu i Maqedonisë, larg mediave ka takuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski, për konsultime lidhur me procedurat e mëtejshme se kujt do t’ia japë mandatin, pasi Nikola Gruevski i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë shumicën.

Presidenca njofton se Ivanov do të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëve.

Në një bllokadë totale, situata politike në Maqedoni ka ngelur pa sqarim sesi do të gjendet zgjidhja.

Presidenti Ivanov, në Maqedoni konsiderohet si i afërt me partinë që ka udhëhqur këtë shtet prej 10 vitesh, e kritika ka pasur sidomos për amnistinë e personave që po hetoheshin gjatë skandalit të përgjimeve të “bombave” të kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Analisti Albert Musliu thotë se nuk do të befasohej me asnjë veprim. Por, sipas tij, deputetët e kuvendit mund të gjejnë një zgjidhje nëse kriza thellohet edhe më shumë.

“Mediet që janë të afërta me Gruevskin promovojnë edhe versionin se mandati i formimit të qeverisë mund të kalojë te një i dytë, i tretë e kështu me radhë brenda të njëjtës parti, derisa të shteren të gjithë deputetët që kanë. Realisht nuk pres që kjo të ndodhë, por besoj se më e shumta që mund të bëjë Ivanov, është t’u japë mandat të gjithë atyre që mund të formojnë shumicën”, tha Albert Musliu, analist.

Shumica e partive në Maqedoni janë në heshtje, duke pritur se cili do të jetë veprimi i parë i presidentit për fillimin e zgjidhjes apo thellimin e krizës.

Top Channel