Itali, asgjësohet klani mafioz, gra e fëmijë në shpërndarjen e drogës

31/01/2017 00:00

Një operacion i gjerë anti-drogë i karabinierëve në Napoli të Italisë ka çuar në arrestimin e 86 personave, mes të cilëve edhe shumë gra e fëmijë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, karabinierët kanë depërtuar në sheshet e shpërndarjes së narkotikëve, të kontrolluara nga adoleshentë të armatosur e që komunikonin me kode për të sinjalizuar ardhjen e forcave të rendit.

Grupet e të rinjve, të shpërndarë në zona të ndryshme ishin organizuar duke ngritur pika të mirëfillta për të evidentuar dhe orientuar blerësit e drogës, kryesisht kokainë, marijuanë dhe hashash.

Të arrestuarit ishin pjesë e klanit mafioz Puccinelli dhe akuzohen për trafik dhe shpërndarje droge në zonën Rione Traiano të qytetit jugor të Italisë, e konsideruar si bastion i klanit.

Hetuesit kanë arritur të zbulojnë se droga përpunohej dhe paketohej nga familje të ndryshme, të cilat angazhonin në punë edhe fëmijët e tyre.

Më pas, sasitë e përpunuara të drogës ruheshin në depo dhe bodrume të pallateve, të ruajtura me kamera filmike dhe dyer të blinduara.

Në përfundim të operacionit, autoritetet kanë deklaruar se përfshirja edhe e familjeve të thjeshta dhe fëmijëve në këtë aktivitet tregon gjendjen e rëndë sociale-ekonomike që mbizotëron në qytetin e Napolit.

Top Channel