PD, Tabaku: Investimet e huaja në pikiatë!

31/01/2017 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku ka deklaruar se, raporti i FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim.

“Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione”, ka thënë Tabaku.

Ajo ka ironizuar kryeministrin dhe ministrin e Financave që kanë shpallur sot nismën djallëzore të Rilindjes, “Blej Shqipërinë përmes Koncesionit”.

“Duan të shesin një vend të cilin e kanë nxjerrë në konçesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapën asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulën në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln usd), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra”, ka vijuar Tabaku.

Ajo ka theksuar se, shifrat janë kokëforta dhe fatkeqësisht tregojnë se “kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash kanë sjellë këto efekte”.

“Kësaj mënyre qeverisjeje i duhet thënë jo! Taksa e sheshtë prej 9% e bën Shqipërinë përsëri konkurruese në rajon, kthen besimin e investitorëve dhe i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për çdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkurruese!”, ka shtuar Tabaku.

Top Channel