Sulmi në Kanada, ngrihen akuzat ndaj studentit agresor

31/01/2017 00:00

Studenti franko-kanadez, Alexandre Bissonnette është akuzuar zyrtarisht nga policia kanadeze, për vrasjen e 6 besimtarëve myslimanë në një xhami të Quebeckut. Ai përballet me 6 akuza për vrasje të shkallës së parë dhe 5 për tentativë vrasjeje.

27-vjeçari u shfaq në një gjykatë të qytetit të Quebeckut lidhur me sulmin që shënjestroi Qendrën Kulturore Islamike të këtij qytetit, mbrëmjen e së dielës.

Manifestime në homazh të viktimave u mbajtën kudo në Kanada. Më shumë se 50 vetë gjendeshin në xhami kur nisën të shtënat, e përpos viktimave pati edhe 19 të plagosur, mes të cilëve dy janë në gjendje kritike për jetën.

Bissonnette u shfaq në gjykatë me një uniformë të bardhë e i prangosur. I dyshuari u arrestua në automjetin e tij në një urë që të çon nga qyteti i Quebeckut në Ile d’Orleans, ku telefonoi policinë për të thënë se ishte i gatshëm të bashkëpunonte.

Sipas medias lokale, i riu kishte studiuar për shkenca politike dhe antropologji në Universitetin e Lavalit, që gjendet 3 km larg xhamisë së sulmuar. Aktivistë në mbrojtje të refugjatëve thanë se i dyshuari njihet për pikëpamjet e tij ekstremiste.

Top Channel