Qeset plastike do të shiten për të ulur ndotjen

31/01/2017 00:00

Duke nisur nga data 5 qershor e këtij viti, qeset plastike do të shiten, nuk do të jepen më falas, sikundër ndodh aktualisht në markete apo furra buke. Një masë kjo që, sipas bashkisë së Tiranës, do të reduktojë përdorimin e qeseve plastike.

“Kemi vendosur që këtë projekt ta shtrijmë gjatë një viti deri në qershorin e vitit 2017 ku do të mundohemi të vendosim rregulla për të mos shpërndarë më qese plastike falas në pikat e shërbimit apo supermarketet. Pas qershorit 2017, përveçse mënyrës se si do zbatohet patjetër që do të ketë dhe masa ndëshkuese”, tha Diana Mile Drejtoreshë e Politikave Mjedisore, Bashkia Tiranë.

Deri më tani impakti është pozitiv, pasi përdorimi i trastave përmirëson jo vetëm jetën e qytetarëve, por ndikon edhe në jetëgjatësinë e kafshëve, që kohët e fundit kanë vdekshmëri të lartë, për shkak se i përtypin ato. Në disa furra buke përdorimi i letrave në vend të qeseve ka nisur prej kohësh.

“Qeset plastike ne nuk i perdorim, përdorim letrat pasi janë më higjenike dhe më të mira për shëndetin e njeriut. Letrat ne i përdorim prej pesë vjetësh”, thotë një shitëse buke.

Projekti për reduktimin deri në eliminimin e përdorimit të qeseve plastike ka nisur të zbatohet në muajin qershor të vitit 2016, ndërsa do të vijojë edhe më gjerë, në të gjithë shqipërinë, me fushata dhe aktivitete sensibilizuese

Top Channel