Tusk: Europa të ngrejë zërin kundër kërcënimit të Trump

31/01/2017 00:00

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk i ka kërkuar liderëve europianë të bashkojnë zërat kundër kërcënimit të ri të përfaqësuar nga Donald Trump.

Në një letër, Tusk ka shkruar se BE përballet me sfidat më të mëdha të 60 viteve, ku kërcënbimet e jashtëm janë “Kina agresive”, “politika agresive e Rusisë” drejt fqinjëve të saj, “islami radikal” dhe tashmë dhe administrata amerikane.

“Në veçanti ndryshimi në Uashington e vendos Bashkimin Europian në një situatë të vështirë; me administratën e re duket se vihet në pikëpyetje politika e jashtme 70-vjeçare e Amerikës”, shprehet Tusk në letrën e tij.

Një shqetësim tjetër për Tuks është edhe rritja e nacionalizmit dhe ksenofobisë në vetë BE. “Egoizmi nacional po bëhet një alternativë tërheqëse për integirmin. Për më tepër, një tendencë centrifugal ushqen një gabim të bërë nga ata për të cilët ideologjia dhe institucionet janë bërë më të rëndësishme se sa interesat dhe emocionet e njerëzve”, vëren presidenti i KE-së.

Shqetësimi i tretë për Tusk është edhe kërcënimi i elitës pro-europiane. Një rënie e besimit të integritetit politike, nënshtrimi ndaj argumenteve populiste si dhe një dyshim në vlerat themelore të demokracisë liberale janë në rritje të dukshme, vëren ai.

“Të bashkuar qëndrojmë, të ndarë rrëzohemi”, e mbyll letrën e tij Tusk duke kërkuar nga të gjitha shtetet anëtare të bashkojnë forcat për të ruajtur fuqinë e Bashkimit Europian.

Top Channel