Kërkesa e Eduard Kukan: Drejtësi për 21 Janarin

31/01/2017 00:00

Në ditën e dytë të diskutimeve për Shqipërinë ndër 231 amendamentet që po shqyrtohen në Bruksel është amendamenti 157 nga eurodeputeti i djathtë, Eduard Kukan, që shpreh  “keqardhjen se autoritetet kompetente nuk kanë bërë një ndjekje penale efektive” dhe i “fton për të dhënë drejtësi, pa vonesë, mbi viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011”.

Krahas ndëshkimit të fajtorëve për ngjarjet e përgjakshme të 21 Janarit 2011, amendamentet kryesore në diskutim janë ato që kanë të bëjnë kryesisht me luftën ndaj korrupsionit duke instaluar në Shqipëri një sistem të ri drejtësie nëpërmjet rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. 

Ndër amendamentet për mbajtjen e  zgjedhjeve të lira dhe demokratike në 18 qershor, bie në sy amendamenti 83 i një grupi deputetësh që u kërkon autoriteteve të përfshijnë në votime rreth 2 milionë shqiptarë që jetojnë në emigracion.

Krahas eurodeputetëve grekë që protestojnë për detin , pronat apo kishat e minoritetit, janë bullgarët që me amendamentin 149 kërkojnë dhënien e statusit minoritet banorëve të Prespës së Vogël, Gollobordës dhe Gores, që sipas politikanëve nga Sofja konsiderohen me kombësi bullgare.

Rezoluta miratohet pasdite, ndërsa vijojnë negociatat mes të majtëve dhe të djathtëve europianë për amendamentet e kompromisit në mënyrë që politikanët shqiptarë të mos keqpërdorin mesazhet e Parlamentit Europian.

Top Channel