Veliaj me autobus urban në Kashar: Po punojmë për shërbim më dinjitoz

31/01/2017 00:00

Pak ditë pasi bëri të ditur se transporti publik do të funksionojë me vlerësim pikëzimi, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zgjedhur të udhëtojë vetë me një prej këtyre linjave, atë të Kasharit.

Kjo linjë i është shtuar së fundmi flotës së transportit publik të kryeqytetit dhe u vjen në ndihmë banorëve të zonës së Kasharit, Yzberishtit,dhe zona rreth Unazës së Re.

“Pata mundësinë të udhëtoj për 1 orë e 10 minuta në linjën unazore të Kasharit, e cila i shërben një pjese të re të Tiranës, që më parë ishin pjesë e ish-komunës. Më parë çmimi i biletës ka qenë 50 lekë, kurse sot është 40 lekë; më parë as aboneja nuk njihej, kurse sot qytetarët mund të udhëtojnë me abone. Për ata që jetojnë në Kashar, Yzberisht, në zonën e Astirit apo rreth Unazës së Re kjo linjë është ideale, me autobusë të rinj dhe me cilësi shumë më të mirë. Duke qenë se e provova vetë e në mënyrë rastësore udhëtova në disa prej autobusëve të kësaj linje, mund të dëshmoj se shërbimi është si dita me natën, krahasuar me ku kemi qenë”, tha ai.

Veliaj deklaroi se përmirësimet në transportin publik do të vijojnë dhe njoftoi nisjen e zbatimit për herë të parë në Shqipëri të biletës elektronike, ndërsa garantoi për një shërbim dinjitoz për të gjithë ata që zgjedhin të udhëtojnë me autobusë.

“Këtë vit do të kemi përmirësime përsa i përket biletës elektronike. Por, si fillim, kemi shtuar këtë linjë të re dhe kemi hequr disa linja rurale, të cilat kishin autobus më të këqij, shërbim më skandaloz e çmim më të lartë të biletës, ndërsa sot kanë një biletë 20 për qind më të ulët, një shërbim shumë herë më dinjitoz, me autobusë ku kondicioneri punon e me sedilje të rregullta”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj tha se gjatë gjithë këtij muaji do të ketë disa inspektime të rastësishme në të gjitha linjat e Tiranës, për t’u siguruar që në qytetin e Tiranës ofrohet i njëjti shërbim.

Top Channel