Spanja, e ardhmja e Dybala

31/01/2017 00:00

Emri i Paulo Dybala vazhdon të përmendet shumë në media. Ajo për të cilën po flitet më shumë është mundësia e largimit të tij nga Juventusi, pavarësisht se është shumë pranë rinovimit të kontratës.

Tensionet e shfaqura së fundmi me trajnerin Massimiliano Allegri i kanë shtuar ndjeshëm zërat e merkatos rreth tij, sidomos në Spanjë.

Sipas “Radio Cope”, futbollisti argjentinas po mendon seriozisht largimin nga Torino në drejtim të kampionatit iberik, në merkaton e muajit qershor. Destinacioni më i mundshëm i tij duket se është Reali i Madridit, kjo edhe për faktin se Florentino Perez do të kërkojë të bëjë një blerje të rëndësishme. Por, problemi për “Los Blancos” është pikërisht Barcelona, ku është Lionel Messi, me argjentinasin që e dëshiron bashkëkombasin e tij tek skuadra katalanase.

Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shihet nëse firma e tij në kontratën e re me “Zonjën e Vjetër” do t’i shuajë sadopak këto zëra apo jo.

Top Channel