Liverpool-Chelsea, “Blutë” kërkojnë konsolidimin e kryesimit

31/01/2017 00:00

Java e 23 e Premier League ka rezervuar sfidën Liverpool-Chelsea, që do të luhet këtë mbrëmje në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Klopp është në një moment delikat, pasi vjen në këtë ndeshje pas 3 humbjeve, 2 nga ta cilat i kushtuan eliminimin nga Kupa e Ligës dhe FA Cup.

Këtë situatë, “Blutë” e Londrës do të kërkojnë ta shfrytëzojnë në maksimum, edhe pse trajneri Antonio Conte deklaron se kjo sfidë nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Fitorja ka gjithnjë rëndësi, pasi kur përballesh me skuadra që janë në të njëjtin nivel me ty, suksesi të shton besimin. Vështirësitë rriten akoma më shumë kur kundërshtari është një ekip si Liverpool dhe për këtë arsye fitorja merr më shumë vlera”, tha Conte.

Trajneri italian theksoi se sfida me Liverpulin e më pas ajo me Arsenalin e vendit të dytë kanë peshë, por nuk janë vendimtare për fatin e sezonit.
 
“Këtë javë do të luajmë me dy skuadra të mëdha. Ajo me Liverpulin do të jetë e vështirë, pasi Liverpuli vjen në këtë ndeshje pas 3 humbjeve. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi do të luajmë ndaj një skuadre shumë të mirë, që do të luftojë deri në fund për titullin”, shtoi Conte.

Pas 22 javësh, Chelsea kryeson renditjen e Premier League me 55 pikë, 8 më shumë se Arsenali i vendit të dytë. Liverpul është në vendin e katërt me 45 pikë.

Top Channel