Moti i keq, Veliaj falenderon Policinë Bashkiake: Shpëtuam 200 jetë

30/01/2017 00:00

Ndihma që Policia Bashkiake dha në ditët e motit të ftohtë, duke ndihmuar njerëzit në rrugë, u konsiderua nga kryebashkiaku Erion Veliaj si puna më me vlerë prej saj. Veliaj tha se u shpëtuan 200 jetë njerëzish.

“Në emergjencat civile të fillimvitit pamë realisht zemrën e Policisë Bashkiake. Kjo s’është detyrë tipike e saj, por duke qenë se rasti ishte atipik dhe emergjenca ishte e një lloji që Tirana s’kishte parë që nga viti ‘85, secili prej nesh doli përtej detyrës, punoi me orë të stërgjata në kushte jashtëzakonisht të vështira. Dua t’ju falenderoj sepse shpëtuam 200 jetë njerëzish falë Policisë Bashkiake”, deklaroi Veliaj.

Rregullimi i tregjeve, sistemimi i transportit urban dhe ndërqytetas, si dhe lirimi i hapësirave publike ishin vlerësimet e Veliajt për 2016-ën.

“Sot ka një terminal të përkohshëm të transportit publik tek ish-Dogana, në perëndim dhe një tjetër në jug-lindje, te “Qyteti Studenti”. Koha kur furgonët mbusheshin në çdo cep rruge dhe njerëzit futeshin si bagëti ka përfunduar, ose në 99% të rasteve është zhdukur. Ka ende punë për të bërë, por njerëzit po mësojnë që në korsinë e emergjencave të autobusit, ku po investojmë me korsi të veçanta, nuk kalohet më me makinë. Më vjen mirë që kemi marrë masa 20 herë më shumë, rreth 59 mijë raste”, tha Veliaj.

Më shumë se 42 për qind e kësaj policie është e re në detyrë, si pasojë e shkarkimeve nga detyra pas ankesave të qytetarëve për mungesë të etikës.

Top Channel