Zgjidhja e krizës politike të Maqedonisë është në duart e presidentit George Ivanov. Pas skadimit të afatit ligjor për ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, në mungesë të një përgjigjeje nga fituesit shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, vendimi pritet nga kreu i shtetit.

VMRO ka kërkuar zgjedhje, si një vendim që quhet i pjekur për të mos futur këtë vend në një periudhë të pasigurt. I vetmi që ka folur publikisht ka qenë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili beson se vendimi më i drejtë do të ishte kalimi i mandatit tek kjo parti për krijimin e qeverisë. Ai është shprehur i bindur për formimin e maxhorancës.

“Natyrisht që kemi qëndrime thelbësore edhe për platformën e shqiptarëve që është nënshkruar. Besoj se edhe PDSH qëndron pas kësaj platforme dhe kemi qëndrim për parakushtet e BDI. Shpresoj se do ta marrim mandatin dhe atëherë do t’i themi qëndrimet tona. Ne jemi të vendosur për një barazi për të gjithë qytetarët dhe jemi pozitivë”, ka deklaruar Zaev.

Ndërkohë, ambasada amerikane në Shkup dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë kërkuar që Maqedonia të formojë një qeveri të qëndrueshme për zgjidhjen e krizës. Por, duket se kështu Maqedonia është futur në një rrugë pa krye.

Por Kushtetuta e Maqedonisë nuk thotë se mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, profesori i kushtetueses, Bajram Polluzhani thotë se presidenti do të duhej të merrte vendime të konfirmuara, pas konstituimit të Kuvendit.

“Nëse mandatari i ardhshëm, si kanditat legal e zyrtar, nuk do të arrihet të votohet me programin e tij në Kuvend, atëherë duhet që forcat politike të shohin rrugëdalje tjetër. Nëse kanë mundësi të shkojnë në një qeveri të zgjeruar, më të qendrueshme, të koncentrimit më të madh politik, sepse kanë shumë detyra për të zgjidhur nga marrëveshjet 1 dhe 2”, deklaron Polluzhani.

Top Channel