Merkel, kundër Trump për ndalimin e qytetarëve nga vendet myslimane

30/01/2017 00:00

Angela Merkel e kundërshtoi hapur vendimin e presidentit amerikan për t’iu ndaluar hyrjen qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.

“Lufta kundër terrorizmit nuk do të fitohet me masa kundër individëve të caktuar”, ishte deklarata e kancelares gjermane, që i kujtoi shefit të Shtëpisë së Bardhë konventat dhe të drejtën ndërkombëtare.

“Beteja e nevojshme dhe vendimtare kundër terrorizmit nuk e justifikon vendosjen e grupeve të caktuara të njerëzve nën një hije të përgjithshme dyshimi. Në rastin për të cilin po flasim, bëhet fjalë për besimtarët myslimanë. Mendoj se një gjest i tillë bie ndesh me parimet themelore të ndihmës për refugjatët dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Merkel.

Kancelarja nuk pajtohet me vendimin e Trumpit e këtë ia ka bërë të qartë edhe gjatë telefonatës 45-minutëshe të ditës së shtunë. Ajo kujton sesi Konventa e Gjenevës për refugjatët parashikon që vendet të ofrojnë ndihma humanitare për pranimin e refugjatëve të luftës dhe se të gjithë nënshkruesit e dokumentit janë të detyruar ta respektojnë atë deri në fund.

Ekzekutivi gjerman tani po sheh me kujdes se cilat janë pasojat e vendimit të presidentit amerikan për personat me dyshtetësi dhe, në raste të caktuara, siç thotë zëdhënësi Steffen Seibert, ai do të mbrojë interesat e personave të prekur para atyre të partnerëve amerikanë.

Pas komenteve të përmbajtura të fillimit, edhe kryeministrja britanike Theresa May e kritikoi lëvizjen e Trumpit e tha se edhe Britania e Madhe do të reagojë nëse urdhri ekzekutiv prek shtetasit e Mbretësisë së Bashkuar.

Top Channel