Hetimi i CEZ, Nue Kalaj paraqet avokat. Balla: Të vijë dëshmitari

30/01/2017 00:00

Nue Kalaj nuk u paraqit sërish në Komisionin hetimor për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por kësaj radhe, ai kishte autorizuar një avokat për të marrë pyetjet. Kjo procedurë nuk u pranua nga komisioni, pasi duhet që të jetë i pranishëm vet dëshmitari.

“Për ne është shumë e rëndësishme që Nue Kalaj, shtetas me pasaportë shqiptare, të paraqitet personalisht. Me apo pa avokat është çështje e tij, por duhet të vijë personalisht”, tha Taulant Balla.

Nue Kalaj, për mazhorancën në komision është sekseri mes Qeverisë “Berisha” dhe “CEZ”-it gjatë kohës së privatizimit, ndërkohë që ekziston një pagesë prej 7 milionë eurosh në favor të tij nga “CEZ”-i në vitin 2009.

Për Top Channel, avokati i Dhomës së Tiranës, Arbër Qehaja, i cili ka një prokurë përfaqësimi të firmosur në Prizren, thotë se klienti i tij është i gatshëm për të dëshmuar dhe se ka edhe forma të tjera të marrjes në pyetje, si videokonferenca apo letërporosia.

“Ka dy lloj formash, ajo përmes videokonferencës dhe ajo përmes letërporosisë. Ai është absolutisht i gatshëm për të dëshmuar, e për të dhënë çdo detaj që ka lidhje me hetimin”, tha Arbër Qehaja, avokat.

Por dëshmia e Kalajt, sipas mazhorancës në komision, nuk mund të bëhet me videokonferencë në kushtet kur ai është shtetas shqiptar, i aftë për të lëvizur dhe njëkohësisht me urdhër thirrjeje në polici. Nga ana tjetër, si videokonferenca, ashtu edhe letërporosia duhet të merren nga autoritetet zyrtare të vendit ku gjendet, ndërkohë që komisioni nuk ka një vendndodhje të tij të saktë.

Top Channel