“Starbucks” sfidon urdhrin e Trumpit: Do të punësojmë refugjatë

30/01/2017 00:00

“Starbucks” sfidon Donald Trumpin dhe urdhrin e tij kundër refugjatëve, me vendimin për të punësuar 10 mijë të tillë gjatë 5 viteve në vazhdim.

Howard Schultz, shefi ekzekutiv i rrjetit të famshëm të kafeneve, u shpreh thellësisht i shqetësuar nga lëvizja eTrumpit, e tha se do të hidhet në veprim. Hapi i tij i parë do të jetë t’u ofrojë punë refugjatëve. Punësimet do të realizohen në 75 vende të botës, ku “Starbucks” ka hapur bizneset e tij.

“Nuk do të bëjmë mënjanë e nuk do të heshtim, kur pasiguria që rrethon administratën e re amerikane sa vjen e shtohet dita-ditës”, deklaroi Schultz.

Vëmendja, sipas tij, do të përqëndrohet fillimisht në Shtetet e Bashkuara e do të afrohen së pari refugjatët që kanë shërbyer si përkthyes për ushtrinë amerikane. Kompania me bazë në Seattle ka kontaktuar ndërkohë me të punësuar që janë prekur nga plani i ri i emigracionit.

Firmat e teknologjisë, si “Microsoft”-i, ishin gjithashtu ndër të parat nga bizneset amerikane që kanë ngritur zërin me shqetësim ndaj urdhrit ekzekutiv të Trumpit.

Top Channel