Maqedoni, BE i kërkon Ivanovit konsulta për “qeveri sa më të gjerë”

30/01/2017 00:00

Pas dështimit të negociatave për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, BE-ja ka kërkuar nga presidenti Ivanov realizimin e konsultave urgjente me krerët politikë në vend dhe të caktojë një udhëheqës për formimin e “qeverisë sa më të gjerë të mundshme”, sipas asaj që publikon agjencia shtetërore e lajmeve MIA.

Konservatorët maqedonas të VMRO-DPMNE-së njoftuan edhe zyrtarisht këtë të hënë se dështuan të arrinin një marrëveshje për formimin e një qeverie koalicioni me shqiptarët e përfaqësuar në Parlament, duke bërë thirrje për zgjedhje të reja në Maqedoni. Afati kushtetues për formimin e qeverisë përfundoi mesnatën mes së dielës dhe së hënës, teksa Gruevski ishte mandatuar nga presidenti Ivanov si fitues i zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit.

VMRO-ja, në pushtet që prej vitit 2006, tha se “zgjidhja më e maturuar” do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja, megjithatë mbetet ende e mundur që presidenti Gjeorge Ivanov të mandatojë Zoran Zaevin, kreun e LSDM-së, për formimin e koalicionit qeveritar. Asnjëra prej dy partive kryesore maqedonase nuk siguroi numrin e nevojshëm të deputetëve për të formuar një qeveri pa mbështetjen e partive më të vogla, përfshi këtu shqiptarët e BDI-së, Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe PDSH-së, të cilët janë bashkuar me një sërë kërkesash, të cilat duket se kanë rezultuar të tepërta për udhëheqësin e VMRO-së, Nikola Gruevski.

Gruevski ka qenë në qendër të krizës politike gjatë dy viteve të kaluara, kryesisht për shkak të skandalit të përgjimeve, që e detyruan atë të jepte dorëheqjen vjet.

“VMRO-DPMNE informon publikun se marrëveshja për koalicion me BDI-në nuk është arritur”, u tha në një deklaratë të mesnatës. “Ne mendojmë se zgjidhja më e maturuar do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja”.

Një zyrtar i BDI-së së udhëhequr prej ish-komandantit Ali Ahmeti, tha se mbetet e paqartë se çfarë pritet të ndodhë tashmë.

“Kushtetuta nuk është e qartë për mënyrën sesi do të procedohet”, tha zyrtari për “Reuters”, duke folur në kushte anonimati. “Tashmë është në duart e presidentit Ivanov nëse do t’ia japë mandatin Zaevit për të tentuar formimin e qeverisë së re”.

Kriza politike në Maqedoni është më e rënda që prej ndërhyrjes së diplomatëve nga Perëndimi për ta drejtuar vendin me një popullsi prej 2.1 mln banorësh drejt rrugëtimit për anëtarësim në BE dhe NATO. Por integrimi është penguar, shpesh për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë fqinje për emrin e Maqedonisë.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë. Pas zgjedhjeve, udhëheqësit e tyre ranë dakord të mblidheshin rreth një platforme për negociatat për koalicion, duke kërkuar mes të tjerave bërjen zyrtare të gjuhës shqipe. Ata kërkuan edhe zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, e ngarkuar me hetimin e akuzave për korrupsion qeveritar, manipulim votash dhe abuzim me pushtetin, që kanë ardhur pas skandalit të përgjimeve që detyruan Gruevskin të jepte dorëheqjen.

Top Channel