Francë, hetim formal ndaj të dyshuarit të sulmeve të Parisit e Brukselit

30/01/2017 00:00

I dyshuari kryesor i sulmit terrorist në aeroportin e Brukselit, Mohamed Abrini është vendosur formalisht nën hetim në Francë, edhe për sulmet terroriste të kryera në Paris në vitin 2015.

Mohamed Abrini, i mbiquajtur si “njeriu me kapelë” pasi u kap nga kamerat e sigurisë së bashku me kamikazët që sulmuan aeroportin e Brukselit marsin e vitit të kaluar, iu dorëzua autoriteteve franceze në mënyrë që të mund të akuzohej edhe formalisht. Ai u arrestua prillin e kaluar në Bruksel.

Sulmet me armë dhe bomba në Paris, më 13 nëntor të vitit 2015, lanë të vdekur 130 persona. Abrini është pikasur në një makinë me të dyshuarin kyç të ngjarjeve të Parisit, Salah Abdeslam, kur u ndalën në një pikë karburanti në Ressons dy ditë përpara sulmeve në kryeqytetin francez. Gjurmët e gishtave të tij dhe ADN-je u gjetën në dy “shtëpi strehimi” në Bruksel, sikurse edhe në makinën e përdorur gjatë sulmeve të Parisit.

Pas arrestimit të tij, ai pranoi se kishte marrë Salah Abdeslamin pas sulmeve dhe e kishte kthyer atë mbrapsht në Belgjikë.

“Mohamed Abrini kishte udhëtuar drejt Parisit nga Belgjika me një autokolonë tejet të armatosur, ndaj hetimet ndaj tij mund të nisin edhe formalisht”, raportoi “BFMTV”. Atij nuk i është bërë asnjë pyetje gjatë shfaqjes përpara 6 gjykatësve të një gjykate franceze, sipas asaj që thotë avokati i tij Emmanuel Pierrat përmes një deklarate.

Gjithsesi, Pierrat tha se Abrini ka qenë në Belgjikë kur ndodhën sulmet në Paris më 13 nëntor 2015. Ai shtoi se, fakti që klienti i tij po hetohet si në Francë edhe në Belgjikë, për sulmet e Parisit, mund të sjellë komplikime ligjore.

Abrini hetohet në Belgjikë për shkak të sulmit me bombë në Aeroportin “Zaventem” të Brukselit në mars të vitit të kaluar, që së bashku me një sulm në një stacion metroje në qytet lanë të vrarë 32 persona. Të dyja sulmet janë marrë përsipër nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik.

Top Channel