“Shpërthen” Manjani: Ministrat, me dashnore tek hoteli i Balilit

30/01/2017 13:10

Dy orë pas shkarkimit si ministër i Drejtësiëë, për të cilin thotë se e mori vesh nga media, Ylli Manjani doli për të dhënë publikisht arsyet e tij për largimin nga detyra.

“Që prej verës së kaluar, Kryeministri ka harxhuar kohë nga dita e tij e punës për të bërë presion, jo mua, por kryetarit të Parlamentit që të më shkarkonte. Arsyen e di ai, por ajo që thotë është se unë flas pa leje. Kjo Qeveri është e kapur dhe jashtë çdolloj standardi kushtetues e ligjor”- Ylli Manjani.

Presioni i nisur nga vera e vitit të shkuar, thotë ministri, u shtua ditën kur ai bëri deklaratën e fortë për kanabizimin e vendit, në intervistën në Top Channel, kur e quajti atë, kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Pse u shtua presioni ndaj meje? U shtua ditën kur unë kam bërë atë deklaratë për kanabisin, ajo ka qënë ndarja më e madhe. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar sepse ky është fakti për përhapjen e fenomenit. Rama u nervozua. Nga kjo situatë u shtua presioni, jo tek unë, por tek Ilir Meta. Unë s’mund të marr përsipër përgjegjësinë e kanabizimit të këtij vendi, as të bizneseve të paligjshme apo trafiqeve”, thotë ai.

Në deklaratën e tij të fundit si ministër i Drejtësisë, Manjani lëshoi akuza të forta për ministra e drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe çështjen “Balili”.

“Nuk është e rastësishme që është munduar të asociohet me emrin tim dosja e Klement balilit dhe ndërkohë që në Tiranë bëhej ky thashethem, për të lidhur emrin tim me atë të Balilit, në Sarandë në “Santa Quaranta” ministrat e Edi Ramës flinin me dashnoret. Kjo është e vërteta”, deklaroi ministri i shkarkuar.

Manjani tha se shërbimet partnere ndërkombëtare i kanë kërkuar kreut të Qeverisë shkarkimin e një tjetër ministri dhe jo atë të Manjanit.

“Ramës i është kërkuar shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe jo shkarkimi im. Këtë ja kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë. Por ai do të shmangë vëmëndjen”, u shpreh Manjani.

Por si ka mundësi që Ilir Meta zgjodhi ketë radhë Edi Ramën dhe jo atë? Manjani nuk ka një përgjigje për këtë:

“Ilir Metës unë i mbetem mirënjohës për pjesën e mbetur të jetës time. Ta dijë se kjo është fjala ime e fundit, unë atij i mbetem mirënjohës”, thotë ai.

Manjani largohet nga Ministria, por tunika e avokatit do ta shoqërojë, ashtu siç lajmëroi në një intervistë për Top Channel muaj më parë.

“Kur të mos jem më ministër do t’jua them”.

Top Channel