Izrael, pritet legalizimi i kolonive të reja. Kryeprokurori: Antikushtetues

30/01/2017 00:00

Parlamenti i Izraelit pritet të miratojë gjatë kësaj të hëne një projektligj, që legalizon në mënyrë prapavepruese rreth 4.000 blloqe të reja banimi të ngritura në kolonitë izraelite në tokën palestineze, tokë e konsideruar private, por që Prokurori i Përgjithshëm e konsideron antikushtetues.

Kalimi i këtij legjislacioni, i mbështetur nga qeveria e konservatorëve dhe i dënuar nga palestinezët si goditje ndaj shpresave për paqe dhe zgjidhjes dyshtetërore, mund të jetë gjithsesi simbolik, pasi kështu siç është bie ndesh me vendimet e Gjykatës Supreme izraelite mbi të drejtat e pronës. Kritikët dhe disa ekspertë ligjorë thonë se projektligji nuk do t’u mbijetonte sfidave të drejtësisë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar jashtë kamerave projektligjin, i cili e ka marrë miratimin në parim nga Parlamenti në nëntor të vitit të kaluar, mes denoncimeve ndërkombëtare dhe spekulimeve në Izrael se ai do të harrohej në komitet.

Por partia e ekstremit të djathtë “Jewish Home”, pjesë e koalicionit qeverisës që synon të rrëmbejë disa votues nga baza tradicionale e “Likud”-it të Netanyahut, bëri çmos që të rikthente në vëmendje legjislacionin.

Në një kohë kur Netanyahu ndodhet nën hetim penal pas akuzave për abuzim me detyrën, dhe partia “Likud” po pëson goditje në sondazhe, udhëheqësi konservator rrezikon të armiqësojë mbështetësit dhe t’i lëshojë terren “Jewish Home” nëse e kundërshton këtë lëvizje. Gjithsesi, ai mohon të ketë shkelur ligjin.

E ndërsa masa e re pritet me të gjitha gjasat të shkaktojë dënime të tjera ndërkombëtare ndaj politikave izraelite për kolonitë, kujtojmë këtu që Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e Obamës e përshkroi votimin në parim dy muaj më parë si “shqetësues”, Netanyahu shpreson të marrë një përgjigje “të heshtur” nga presidenti republikan i SHBA-ve, Donald Trump.

Njoftimi i Izraelit gjatë javës së kaluar se planifikonte 2.500 shtëpi të reja në Bregun Perëndimor nuk shkaktoi valë të dukshme me administratën e re amerikane, zëdhënësi i së cilës u përgjigj duke e përshkruar Izraelin si një “aleat të rëndësishëm”.

Qeveria izraelite kërkon miratimin në Parlament të projektligjit, pavarësisht se Prokurori i Përgjithshëm Avichai Mandelblit e përshkruan atë si antikushtetues dhe në shkelje të ligjit ndërkombëtar, për sa kohë që lejon shpronësimin e tokës private në territoret e pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Top Channel