Shkarkim në pjesë të parë. Loja për Manjanin mbaron për 45 minuta

30/01/2017 00:00

Pas një fundjave të nxehtë deklaratash, kryeministri Edi Rama, takimin e parë këtë të hënë e bëri me kryetarin e LSI-së, Ilir Metën, në zyrën e këtij të fundit. 45 minuta zgjati takimi që përfundoi me dakordësinë për të shkarkuar nga detyra ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjanin, dhe për të emëruar në atë detyrë Petrit Vasilin.

Më herët, Manjanit iu kërkua dorëheqja, por ai publikisht tregoi se nuk do të ikte vetë nga detyra.
 
Edi Rama u largua nga Kryesia e Kuvendit dhe aty menjëherë mbërriti ministrja Klajda Gjosha, e cila sërish u largua pas disa minutash. Mbërriti edhe ministri Ylli Manjani, i cili thuhet se është takuar në Kryesinë e Kuvendit me kryetarin e partisë së tij, i cili sapo i kishte dhënë kryeministrit miratimin për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë. Edhe të tjerë ministra të LSI-së në qeveri mbërritën në Kryesinë e Kuvendit.

Kur gjithçka ishte bërë publike, nga Kryesia e Kuvendit ka dalë kryetari i LSI-së Ilir Meta, së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së, deputetin Petrit Vasili. Të dy i janë drejtuar selisë së Presidentit të Republikës, ku mesa duket kishin mbërritur edhe kërkesat për shkarkimin e Manjanit dhe emërimin në vend të tij të Petrit Vasilit. Edhe në Presidencë takimi nuk ka zgjatur shumë.

Fati i ministrit Ylli Manjani po kristalizohej në kohën kur ministri publikisht paraqiti qëndrime të ndryshme dhe kontraverse me kryeministrin dhe pjesën tjetër të qeverisë. Por, intervista e Manjanit pak javë më parë në “Top Story” shkaktoi edhe vendimin e shkarkimit të tij. Në atë intervistë, Manjani lëshoi akuza dhe bëri komente të rënda ndaj qeverisë dhe kolegëve të tij për çështjen e kanabisit, por edhe për koalicionin.

Top Channel