NBA, New York-Atlanta, sfidë “maratonë”

30/01/2017 00:00

Pas suksesit me Brooklyn, Cleveland shënon një tjetër fitore në NBA. Në Quicken Loans Arena, skuadra kampione në fuqi gjunjëzoi Oklahoma-n me rezultatin 107-91 për ta çuar bilancin në 32 fitore e 14 humbje.

Le Bron James ishte në një ditë shumë të mirë dhe e mbylli këtë sfidë me 25 pikë e 14 topa në tabelë. Këtyre statistikave iu bashkuan 29 pikët e Kyrie Irving për ta kompletuar këtë sukses të Cavaliers. Russell Westbrook regjistroi të tjera statistika të mira me 20 pikë, 12 topa në tabelë e 10 asist, por që nuk i shërbyen shumë skuadrës së Thunder.

Problemet shëndetësore e mbajtën Stephen Curry jashtë parketit, por kjo nuk e pengoi Golden State të shënojë fitoren e 41 sezonale. Këtë radhë skuadra e Warriors mposhti Portland në fushën e këtij të fundit me rezultatin 113-111 ku ai që spikati ishte Kevin Durant me 33 pikë, por nuk mbeti prapa as Klay Thompson që e mbylli sfidën me 27 pikë. Për Portland McCollum shënoi 28 pikë por Trailblazers nuk mundi dot të kthejë sfidën në favorin e saj edhe pse e pati shansin  në fundin e ndeshjes.

Në “Phillips Arena” tifozët u bënë dëshmitarë të një prej ndeshjeve më të çmendura të këtij sezoni. Përballë u vunë Atlanta me New York që u shndërrua në një ndeshje maratonë pasi u deshën plot 4 kohë shtesë për të përcaktuar skuadrën fituese. Në fund ajo që arriti të marrë më të mirën në këtë sfidë që zgjati 4 orë ishte Atlanta që e mbylli atë 142-139. Millsap spikati për Hawks me 37 pikë, ndërkohë që në krahun tjetër Carmelo Anthony e mbylli ndeshjen me 45 pikë të shënuara.

Por rezultati më befasues ishte ai  i derbit teksan mes San Antonios dhe Dallas në AT&T Center. Skuadra e Mavericks iu imponua asaj të Gregg Popovich duke e mundur me rezultatin 105-101. Ishte një sfidë ku Dallasit iu desh të përmbyste disavanazhin prej 10 pikesh të krijuar nga Spurs në pjesën e pare, ku ai që spikati ishte Seth Curry me 24 pike. Për San Antonion kjo është hera e dytë në këtë sezon që pëson 2 disfata radhazi.

Top Channel