Protesta ndaj Trumpit. Gjykatës federalë pezullojnë urdhrin

30/01/2017 00:00

Donald Trump hyn në javën e dytë të Presidencës së tij mes përplasjesh politike, protestuesish nëpër rrugë, procesesh gjyqësore që shtohen dhe frakturave brenda vet partisë së tij në lidhje me urdhrin polemizues të ndalimit të shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane.

I palëkundur nga qëndrimi i tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi përmes një deklarate për shtyp se vizat do të mund të lëshohen sërish, vetëm kur të kenë hyrë në fuqi politikat më të sigurta të vendosura ndonjëherë. Bllokimi, sipas tij, nuk shënjestron myslimanët.

Por reagimet kanë qenë të menjëhershme. 16 prokurorë shtetërore thonë se urdhri ekzekutiv i miliarderit të shndërruar në politikan është jokushtetutes. Disa gjykatës federalë e kanë pezulluar përkohësisht deportimin e njerëzve të pajisur me viza.

Urdhi i firmosur të premten ndaloi për 120 ditë edhe të gjithë programin amerikan të refugjatëve, duke mos lejuar hyrjen e refugjatëve sirianë. Masa e marrë shkaktoi konfuzion të gjerë, pasi refugjatë, rezidentë me karta të gjelbra, studentë dhe punonjës u mbajtën në aeroportet amerikane, ose u ndaluan të hipin në avionët e linjave ajrore që udhëtojnë drejt SHBA-ve.

Komuniteti sirian në Sacramento druhet për të ardhmen e tij.

“Kam frikë sepse familjen e kam aktualisht në Jordani. Ata duan të vijnë këtu, sepse jemi të ndarë. Disa në Jordani, disa të tjerë në Norvegji, vëllezërit i kam në Arabinë Saudite. Po të mos ishte për urdhrin e Trumpit mund të bashkoheshim të gjithë këtu. Jetës nuk i dihet, mund edhe të vdesim e të mos takohemi dot”, tha Abdul Fatah Mahmoud Shatat, refugjat.

Por ka edhe raste si ai i afganit Yasser Razayy, i cili ka fluturuar bashkë me familjen drejt aeroportit “Dulles” të Uashingtonit, ku nuk ka ndeshur në asnjë problem.

“Jam i habitur edhe vet. Kur dëgjova për urdhrin e ri u trondita të them të drejtën, e nuk dija se çfarë të bëja. Javën që shkoi kisha lënë punën, sepse më 12 shkurt kisha në plan të udhëtoja drejt Amerikës. Por pas këtij urdhri bëra gati çantat e u nisa, thashë të dalë ku të dalë. Fatmirësisht asgjë nuk ndodhi dhe, unë e familja ime u lejuam të kalonim”, tha Yasser Razayy, emigrant afgan.

Përmes një postimi në “Twitter”, Trump u justifikua me argumentin se vendit i nevojiten kufij të fortë dhe kontrolle të rrepta, për të shmangur rrëmujën e tmerrshme që po ndodh, sipas tij, në Europë e në të gjithë botën.

Top Channel