Urdhri i Trump prek “Oscar”

29/01/2017 00:00

Urdhri ekzekutiv i Donald Trumpit për t’i ndaluar shtetasve të shtatë vendeve me shumicë muslimane, hyrjen në Amerikë, do ta lerë jashtë ceremonisë së çmimeve “Oskar”, regjizorin iranian Asghar Farhadi, kandidat për Statuetën e Artë.

Eventi që lartëson filmat më të mirë të 2016-s, zhvillohet më 26 shkurt në “Dolby Theatre” të Hollivudit, por me urdhrin e hyrë në fuqi më 27 janar, Farhadi nuk do të udhëtojë dot drejt Kalifornisë, për të mbështetur filmin e tij.

Për 90 ditë, asnjë shtetasi nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni nuk do t’u lëshohet vizë amerikane.

Filmi i Farhadit, “Shitesi”, është nominuar në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, krahas filmit danez “Toka e minave”, atij gjerman “Toni Erdmann”, kanadezit  “Është vetëm fundi i botës” dhe filmit australian “Tanna”.

Ai rrëfen historinë e një mësuesi gjimnazi, interpretuar nga aktori Shahab Hosseini, i cili kërkon të hakmerret ndaj personave të cilët i sulmuan bashkëshorten e tij brenda apartamentit të çiftit.

Regjizori që rrezikon të mungojë në edicionin e 89-të të ndarjes së çmimeve më prestigjoze  të kinematografisë, është njeriu që shkroi një faqe të re në historinë e këtij eventi në 2012-ën, kur filmi i tij “Një ndarje”, u bë i pari film iranian që fitonte një “Oskar”.

Top Channel