Gongu për Vettingun; Fluks në DSIK, ILDKPKI dhe KLD

29/01/2017 00:00

Këtë të diel prokurori Përparim Hasa iu drejtua Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për të dorëzuar formularin e pastërtisë së figurës, ndërsa më herët ka depozituar formularët e pasurisë dhe të karrierës.

Kur ka nisur numërimi mbrapsht nga afati i mbetur që llogaritet të jetë deri të hënën ora 16:00, gjyqtarët e prokurorët shfrytëzuan edhe të dielën për dorëzimin e formularëve. Deri më tani pranë ILDKPKI kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar 650 njerëz të drejtësisë.

Pritet t’i dorëzojnë në orët në vijim edhe 154 të tjerë. Si rrallë ndonjëherë e diela ishte ditë pune edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dyert e të cilës janë mbajtur hapur edhe gjatë fundjavës për të marrë formularët e karrierës së gjyqtarëve.

“Kemi pasur angazhime në punë, gjykime, procese të ndryshme të cilat na kanë penguar“, sqaron gjyqtari Alfred Gjoni, për arsyen pse e kanë lënë të dielën këtë proces.

“Më i vështiri ishte formulari i pasurisë, se duhet të mblidhja edhe të prindërve”, shprehet gjyqtari Kujtim Vranici.

“Kanë kohë edhe nesër. Deri tani kanë dorëzuar 398 persona, numri i atyre që dihet të dorëzojnë dokumentacionin është mbi 500. Te ne dorëzojnë ndihmësit ligjorë dhe anëtarët e Gjykatës”, shprehet zëdhënësi i KLD, Elis Kuçi.

Top Channel