Goditet tjetër rast i trafikimit të drogës me gomone drejt Italisë

29/01/2017 15:35

Policia e Shtetit ka njoftuar për goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar lëndë narkotike me gomone në drejtim të Italisë. Gomonia drejtohej nga dy shqiptarë.

Si rezultat i një operacioni të përbashkët ndërmjet shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Guardia di Finanza NUFROM, ku u përfshinë avioni i FRONTEX, si dhe njësia operative aerodetare e Guardia di Finanza të Pulias, u bë e mundur që 20 milje në afërsi të San Kataldos në Leçe, të bllokohej gomonia 6 metra e gjatë me dy shqiptarë në bord.

Gjatë ndjekjes, dy skafistët e kanë hedhur lëndën narkotike në det. Dy skafistët shqiptarë B.H., 48 vjeç, banues në Vlorë dhe E.N., 31 vjeç, banues në Vlorë, janë arrestuar nga Guardia di Finanza për veprën penale “Trafik ndërkombetar i lëndëve narkotike”.

Lënda narkotike e hedhur në det në këto momente është grumbulluar nga policia. Gjithsej, 28 pako të mëdha me peshë totale 506 kg.

Top Channel