“Shqipëria pa armë”, dorëzim vullnetar në disa qarqe

29/01/2017 00:00

Në një komunikatë për mediet, Policia e Shtetit ka informuar mbi vijimin e dorëzimit masiv vullnetar të armëve në disa qarqe. Në 24 orët e fundit, në të gjithë vendin janë dorëzuar 31 armë zjarri, 11.450 fishekë dhe 19 granata, por edhe dy mitralozë antiajrorë.

Armët dhe municionet janë dorëzuar në Tiranë, Dibër, Shkodër, Fier, Berat, Elbasan, Lezhë, Korçë, Gjirokastër, Durrës, Vlorë dhe Kukës, ndërsa Policia e Shtetit i falënderon qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për dorëzimin vullnetar të armëve të paligjshme, sikurse edhe ata që nxisin banorët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë si ata.

Policia e Shtetit premton se, në bashkëpunim me komunitetin, do të përmbushë nismën “Shqipëria pa armë”. Kjo nismë ka për afat përfundimtar të dorëzimit vullnetar 30 prillin, ndërsa më pas kapja e një arme pa leje do të dënohet sërish sipas ligjeve në fuqi.

Top Channel