Mes mjerimit në Ballagat

29/01/2017 12:25

Në një banesë, dikur ish-zyrë e kooperativës së fshatit Ballagat, jetojnë sot 10 anëtarët e familjes Sharka. E ndërtuar 70 vjet më parë, ndërtesa është drejt shembjes.

Familja, që mezi siguron bukën e gojës, nuk ka mundësi të meremetojë këtë shtëpi apo të gjejë një tjetër.

Pensionistja Feride Sharka tregon sesi ajo së bashku me djemtë, njëri prej të cilëve i sëmurë dhe nipërit, më i vogli 2-muajsh, ushqehen vetëm me pensionin prej 6 mijë lekësh.
 
“Na ra tavani në atë kohë të ftohtë. Gjithë shiu hynte brenda”, tregon Ferideja.

Ndërsa Besnik Sharka thotë: “Asnjë ndihmë nuk na ka ardhur. Na sillnin kukulla, por ç’i dua unë kukullat?”

Përfaqësues të njësisë administrative Ballagat thonë se i kanë ardhur në ndihmë me aq sa kanë patur mundësi. “Kemi gjetur sponsor për çatinë, por gjendja e rëndë e asaj familjeje bën që kërkesat të jenë shumë të mëdha dhe ne nuk mund t’i përballojmë”, shpjegon Rudina Tafa.

Ndërsa fqinjët e kësaj familjeje tregojnë: “Janë familja më e këputur. Edhe djemtë nuk janë në gjendje fizike për të punuar. Ne i ndihmojmë, por pensionistë jemi”.

Edhe banorët e zonës u vijnë në ndihmë me veshmbathje e ushqime, por fqinjët thonë se nuk mund t’i ndihmojnë gjithmonë, ndaj zgjidhja, sipas tyre, duhet të jetë institucionale dhe aftagjatë.

Top Channel