Kupa e Afrikës, Burkina Faso dhe Kameruni në gjysmëfinale

29/01/2017 00:00

Burkina Faso vijon “ëndrrën” e saj në Kupën e Kombeve të Afrikës, falë një 32-vjeçari që aktivizohet në Letoni, dhe një “të papuni”. I pari është sulmuesi Aristide Bance, ndërsa i dyti është Nakoulma, aktualisht pa kontratë, të dy autorë golash në sfidën ndaj Tunizisë në çerekfinalet e turneut.

Të njohur ndryshe si “Hamshorët”, lojtarët e Burkina Faso kanë ende mundësi të përsërisin suksesin e 4 viteve më parë, kur e mbyllën të njëjtin kompeticion në si finalistë. Ndërkohë, për “Shqiponjat e Kartagjenës” të drejtuar nga 70-vjeçari Kasperczak, trajneri më i vjetër i turneut, bëhen gati valixhet për kthim në shtëpi. Në vitin 1996, i njëjti teknik kishte drejtuar Tunizinë drejt finales, por pa mundur të triumfonte.

Të mërkurën, Burkina Faso do të luajë ndaj fituesit të duelit Egjipt-Marok, në Libreville.

Ndërkohë, në sfidën mes “luanëve”, fitimtarë dalin “të pandreqshmit”, të cilët shkojnë në gjysmëfinalet e turneut për herë të 9 në histori. Edhe pse ishin jo pretendentë përpara sfidës ndaj Senegalit, skuadër që së bashku me Ganën rezultuan më të mirat e fazës së grupeve, Kameruni arriti të merrte më të mirën pas 120 minutash lojë dhe pas goditjes së 11-metërshave. Penallti që u vendosën nga një gabim i Mane. Për Kamerunin, që duhett’i falet pritjeve të Ondoa, ky është rezultati më i mirë i 4 edicioneve të fundit. Për senegalezët, kjo është humbja e dytë ndaj kamerunasve, ashtu siç ndodhte 5 vite më parë kur gabonte nga pika e bardhë Aliou Cisse, sot trajner.

Kameruni pret tashmë i qetë sfidën mes Republikës Demokratike të Kongos dhe Ganës, për të mësuar rivalin e sfidës së të enjtes mbrëma.

Top Channel