Telashi i parë për May, urdhri i Trump. BBC: Do të shkelë edhe shumë vija të tjera

29/01/2017 00:00

Të prekurit e parë nga urdhri ekzekutiv i Donald Trumpit nuk janë vetëm myslimanët prej 7 vendeve në “listën e zezë” të presidentit amerikan.

Një veterinere nga Glasgow përjetoi zemërimin dhe frikën, kur iu ndalua fluturimi tranzit në Shtetet e Bashkuara. Hamaseh Tayari, mbajtëse e një pasaporte iraniane, duhet të kthehej në Britani nga Nju Jorku pas pushimeve të kaluara në Kosta Rika.

Masat e Trumpit synojnë të mbajnë jashtë territorit amerikan terroristët radikalë islamikë, por që në ditën e parë të hyrjes në fuqi, ato shkaktuan kaos e pështjellim edhe në jetët e mjaft njerëzve të thjeshtë.

Kryeministrja britanike Theresa May u zotua të ndërhyjë, nëse vendimi i Trumpit për refugjatët do të prekë shtetasit britanikë. “Downing Street” nxori një deklaratë ku sqarohej pozicioni i shefes së qeverisë.

“Politika e emigracionit në Shtetet e Bashkuara është një çështje që i përket qeverisë amerikane, ashtu siç ndodh edhe në vendin tonë, ku të tilla politika përcaktohen nga ekzekutivi”, thuhet aty. “Por me këtë lloj qasjeje nuk pajtohemi dhe nuk kemi për ta pranuar”.

Përpara se të shtrëngonte duart me kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë e të buzëqeshnin të dy përpara kamerave, May i premtoi botës se nuk do të druhej t’ia shprehte hapur Trumpit mendimin e saj, kur nuk ndante të njëjtin mendim me të.

Pengesa e parë, megjithatë, nuk vonoi të mbërrinte dhe ky është një telash për kryeministren britanike. “Trumpi – thotë BBC-ja, është e qartë se do të shkelë dhe shumë vija të tjera, e nëse ajo nuk reagon, do të shihet si partnerja e dobët që i bindet një udhëheqësi më të fuqishëm”.

Top Channel