Ndalimi i refugjatëve, May dhe Trudeau dalin kundër Trump

29/01/2017 00:00

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka dalë me një qëndrim të tijin, të shprehur në rrjetet sociale, kundër pezullimit të përkohshëm të hyrjes së refugjatëve dhe emigrantëve në SHBA nga disa vende të caktuara me shumicë myslimane.

Në një seri “cicërimash”, Trudeau theksoi angazhimin e qeverisë së tij për të pranuar “ata që iu largohen persekutimit, terrorit dhe luftrave”. Në pak orë, deklaratat e tij u shpërndanë më shumë se 150 mijë herë, ndërsa togfjalëshi “Mirësevini në Kanada” u bë një trend në fqinjin verior të Amerikës.

Trudeau, i cili u vu në qendër të vëmendjes botërore për shkak se pranoi afro 40 mijë refugjatë sirianë në Kanada gjatë 13 muajve të kaluar, publikoi më pas edhe një foto të tij teksa priste një refugjatë të ri në një aeroport kanadez në vitin 2015.

Të premten, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullonte hyrjen në SHBA të shtetasve nga Iraku, Siria, Sudani, Irani, Somalia, Libia dhe Jemeni për 90 ditë. Ndërsa i tërë programi i pranimit të refugjatëve është pezulluar për 120 ditë.

Duke shfaqur mosakordin e saj, edhe kryeministrja britanike Theresa May deklaroi se do të ngrinte zërin ndaj SHBA-ve, nëse urdhri ekzekutiv prekte edhe qytetarët britanikë. Shefja e “Downing Street” është kritikuar për shkak të refuzimit për të dënuar lëvizjen e fundit të Trumpit, në një kohë që është shprehur se është në duart e Shteteve të Bashkuara të përcaktojnë politikat e tyre.

Duke qenë se urdhri prek të gjithë refugjatët për 120 ditë, veç atyre nga 7 vendet myslimane për 90 ditë, kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon është shprehur se kryetarja e ekzekutivit britanik duhej të kishte folur ashpër kundër tij, madje më herët.

May vizitoi SHBA-të të premten, e më pas vizitoi Turqinë, ndërkohë që ditën e sotme pritet të kthehet në Britani. Por përpara kësaj, “Downing Street” ka publikuar një deklaratë për qartësimin e pozicionit të saj.

“Politika e emigracionit në SHBA është çështje e qeverisë amerikane, ashtu sikurse edhe politika për emigrantët që ndjekim ne në këtë vend, e që vendoset nga qeveria jonë”, tha një zëdhënës. “Por, ne nuk biem dakord me sjellje të tilla, e një gjë e tillë nuk do të ndërmerret nga ne”.

Top Channel