Meta: Jo retorika, por zgjidhje

29/01/2017 00:00

Ilir Meta u përpoq ta nxjerrë në vend të dytë çështjen e koalicionit qeverisës, kur zyra e tij i dha vend kryesor mesazhit të Metës për stabilitetin e Kosovës dhe qëndrimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes pro Kosovës.

“Stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve”, deklaroi Meta.

Por, megjithëse nuk mori pjesë me zë dhe me figurë në konfiktin e hapur nga ministri Lefter Koka, Ilir Meta nuk qëndroi jashtë tij. Megjithëse gjuha është krejt e ndryshme nga ministri i tij, Ilir Meta lë të kuptohet se problemet qëndrojnë.

“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme”, tha Meta.

Por, sipas zv/kryeministrit Niko Peleshi, i cili u shfaq i habitur nga qëndrimi i kolegut Lefter Koka, angazhimi tregohet duke punuar për reformat e koalicionit qeverisës. Madje, ai i kujtoi Metës fjalët e tij të një viti më parë se qeveria ka nevojë për impulset e të gjithëve.  

“Unë pres që në periudhën para zgjedhjeve nervozizmi i politikanëve të rritet, por askush nga ne nuk duhet të ketë kohë të lirë për lojëra politike”, tha Peleshi.

Nga qëndrimet e LSI-së, më i godituri është ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili, njësoj si kryeministri Edi Rama, publikoi indeksin e besueshmërisë së policisë, që renditet si institucioni më i besuar gjatë tre viteve të fundit. Por, nëse Rama i identifikon kundërshtarët me shprehjen “qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, ministri i Brendshëm ka shprehjen e tij se, “fronti i së keqes nuk e ndalon dot”.

Top Channel