Hollande: Qeveria e re e SHBA nxit populizmin

28/01/2017 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande tha se qeveria e re amerikane po nxit populizmin, ndërsa ai dhe lider të tjerë europianë kërkuan bashkim për t’u përballur me një botë gjithnnjë e më të pasigurt.

“Në Europë duhet të qëndrojmë të bashkuar. Rreziku është populizmi dhe fjalët që vijnë nga SHBA nxisin pikërisht populizmin, madje edhe ekstremizmin”, u shpreh ai.

Komentet e tij u bënë gjatë zhvillimit të samitit në Lisbonë të liderëve të vendeve të evropës jugore, ku u shfaq shqetësim i madh për kërcënimet ndaj unitetit evropian në një periudhë të rritjes së populizmit dhe largimit të Britanisë.

Grupi i liderëve që njihet edhe me nofkën “Klubi mesdhetar” përfshin Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Greqinë, Maltën dhe Qipron. Këto vende që përballen me sfida si kriza e emigrantëve, dobësimi ekonomik dhe borxhet e larta, në një komunikatë të përbashkët thanë se uniteti evropian është tejet i rëndësishëm, sidomos në periudhën aktuale.

Sipas tyre, dobësimi i Europës nuk është një opsion dhe pa përmendur me emër presidentin Trump, ata treguan vendosmëri për të kundërshtuar politikat proteksioniste të tregtisë që ai promovon.

Top Channel