Në kërkim të Balilit, shoqërohen e lirohen të afërmit e “Escobarit”

28/01/2017 00:00

Mëngjesin e kësaj të shtune 11 persona u shoqëruan dhe u morën në pyetje si pjesë e operacionit të kërkimit të Klement Balilit.

Mes të shoqëruarve ishte edhe i biri i të shumëkërkuarit, i cili pas 10 orësh është lënë i lirë dhe është kthyer në banesën e tij në fshatin Stjar në Delvinë.

Në oren 5:30 të mëngjesit të së shtunës, qindra forca policore kontrolluan 10 banesa dhe tre hotele në Delvinë dhe Sarandë. Gjithashtu janë pyetur në vend dhjetra persona për të marrë informacion.

Disa nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e Klement Balilit u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Aty ata janë marre në pyetje. Burime për Top Channel thonë se nuk është nxjerrë ndonjë informacion i vlefshëm nga marrja në pyetje, por shprehen të bindur se Balili do kapet shpejt.

Në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, mbrëmjen e kësaj të shtune u liruan që të gjithë të shoqëruarit, ndërkohë që familjarët e Klement Balilit thonë se nuk e dinë se ku ndodhet dhe se ai nuk do të dorëzohet sepse nuk ka besim te drejtësia.

“Bashkëshorti im nuk dorëzohet dot në këtë moment, sepse në Shqipëri nuk ka drejtësi. Në momentin që vendoset ligji i vettingut,sepse dyshohet se prokuroria jonë dhe gjykatat tona janë të korruptuara në duart e kujt do të dorëzohet burri im?”, thotë Alma Balili, bashkëshortja e Klement Balilit.

Klement Balili kërkohet nga drejtësia greke me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Moskapja e tij u kthye në një çështje politike me shkëmbim akuzash reciproke mes pozitës dhe opozitës, por edhe me tension brenda vetë mazhorancës.

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i kerkoi Presidentit të Republikës mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare posaçërisht për Balilin.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagoi ndaj Presidentit, ndërsa gjatë analizës së Policisë në Berat, u shpreh i sigurtë për arrestimin e Balilit.

“Po çuditet publiku pasi Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty. Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i painformuar. Balili e Balilëra mund t’i kenë ende ditët e numëruara, por shumë shpejt do të jenë para drejtësisë”, ka thënë një ditë më parë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Top Channel