May në Ankara: Britani-Turqi do intensifikojnë marrëdhëniet

28/01/2017 00:00

Kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të intensifikojë marrëdhëniet tregtare me Turqinë, pas takimit me presidentin Recep Tayip Erdogan.

May deklaroi se, Turqia është një nga miqtë e vjetër të Britanisë dhe se shumë më tepër mund të bëhet për të ngritur më tej nivelin e marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij, Erdogan u shpreh se, edhe Turqia synon të rrisë marrëdhëniet tregtare me Britaninë deri në 20 miliardë dollarë në vit, nga 15.6 mld që arrijnë aktualisht.

Dy liderët njoftuan gjithashtu nënshkrimin e një marrëveshje prej 100 milionë stërlinash, që parashikon ndihmë ushtarake britanike për modernizimin e aviacionit ushtarak turk.

Kryeministrja deklaroi gjithashtu se Britania dhe Turqia do të ngrenë një grup të përbashkët pune për të përgatitur bazat për marrëdhëniet tregtare gjatë periudhës post-Brexit.

“Zoti president, ju përmendët mundësitë për avancimin e tregtisë mes dy vendeve tona dhe të dy ne dëshirojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të re mbi lidhjet e vjetra. Dhe unë besoj se duke bërë këtë do të përfitojnë të dy vendet tona”, tha May në konferencën e përbashkët për shtyp.

Duke qëndruar në të njëjtat linja, Erdogan u shpreh se, “Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia do të gëzojnë një marrëdhënie të re, ndryshe nga pozicionet e mëparshme të tyre”.

Top Channel