SHBA, bllokohen emigrantët e parë në aeroporte

28/01/2017 00:00

Grupet e të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara kanë depozituar këtë të shtunë në një gjykatë të Nju Jorkut një padi, përmes të cilës kërkojnë lirimin e disa refugjatëve që janë ndaluar në aeroportin “John F. Kennedy”.

Dy irakenë, bashkëpunëtorë të dikurshëm të ushtrisë amerikane, mësohet të jenë ndaluar teksa kalonin tranzit në Nju Jork, disa orë pas firmosjes së urdhërit ekzekutiv të presidentit Donald Trump, ditën e premte.

Qendra Ligjore Kombëtare për Emigracionin ka deklaruar për BBC se do të padisë edhe presidentin Trump dhe sekretarin e Departamentit për Sigurinë e Brendshme për këto veprime.

Qendra në fjalë nënvizon se bëhet fjalë për dy irakenë kurajozë: Haneed Khalid Darweesh, i cili ka përkthyer për ushtrinë amerikane; dhe Sameer Alshawi, i përndjekur në vendin e tij sepse ka ndihmuar ushtrinë e SHBA.

Hyrja në Amerikë për shtetasit nga 7 vende me shumicë myslimane është pezulluar për 90 ditë nga Trump. Detajet e urdhërit të tij janë ende të paqarta, por Departamenti i Shtetit ka deklaruar për BBC se po punon për implementimin e menjëhershëm të kësaj mase.

Qendra Amerikane për Liritë Civilë është ndërkohë një tjetër, mesh shumë grupeve të të drejtave të njeriut, që është përfshirë në depozitimin e padive kundër shtetit amerikan, pranë Gjykatës së Rajonit Lindor të Nju Jorkut.

Top Channel