LSI mbledh konventën zgjedhore në Tiranë

28/01/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi këtë të shtunë konventën zgjedhore për njësinë administrative numër 9 të Bashkisë së Tiranës.

Të pranishëm në këtë event kanë qenë nënkryetari, Petrit Vasili, si dhe eksponentë të tjerë të kësaj partie. Në fjalën e tij, Vasili theksoi se për LSI, interesi i qytetarëve është mbi gjithçka dhe modestia dhe përulja ndaj tyre është gjithashtu një dimension i natyrshëm për të.

“Një parti e cila nuk ka të shkuar nuk mund të ketë të ardhme. LSI-ja ka historinë e saj dhe historinë e bëjnë njerëzit. Dhe kur njerëzit janë aty, historia është e gjallë dhe është një histori që zhvillohet. Nuk është mosmbajtja e fjalës dimensioni ynë dhe kjo na dallon. Ua them këtë gjë sepse populli ka një shprehje të thjeshtë: ‘i miri dallon’”, tha Vasili.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm Endrit Braimllari u shpreh se, zgjedhjet në Tiranë janë një proces tërësisht kolegjial, që mishëron tiparet e LSI-së.

“Është një proces që përfshin shumë anëtarë, të rinj dhe të vjetër. Është një proces i cili e fuqizon LSI-në e Tiranës, e fuqizon njësinë 9, por mbi të gjitha mishëron më së miri tiparet thelbësore të LSI-së”, tha Braimllari.

Top Channel