Ekonomi në Stamboll, fton bizneset turke: Investoni në Shqipëri

28/01/2017 00:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi ka ftuar bizneset turke të investojnë në Shqipëri, gjatë një forumi ekonomik mes dy vendeve, që u zhvillua në Stamboll në datat 27-28 janar.

“Turqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik për Shqipërinë në rajon dhe më gjerë. Por marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë garanton një bazë të mirë ligjore për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare dhe për të rritur potencialet për investime të reja”, tha Ekonomi në fjalën e saj.

Ajo shtoi se, aktualisht janë 453 biznese turke që operojnë në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, kryesisht në atë bankar, telekomunikacion, edukim, shëndetësi dhe energjitikë.

Ndërsa stoku i investimeve direkte turke në tremujorin e tretë të 2016 ishte sipas ministres, 485 mln euro krahasuar me 451 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Ndër të tjera, Ekonomi njohu investitorët turkë me situatën ekonomike të Shqipërisë, duke nënvizuar se rritja ekonomike në 2016 ishte nga më të lartat në rajon, 3.4 për qind.

Top Channel