Mbërrin Viti i Gjelit, më pak fishekzjarre në Kinë

28/01/2017 00:00

Miliona njerëz rreth Azisë i dhanë mirëseardhjen Vitit të Gjelit. Viti i ri hënor, që zyrtarish nis të shtunën është e vetmja festë zyrtare për shumë kinezë dhe shënohet tradicionalist nga shfaqje fishekzjarresh.

Po këtë vit, Pekini ishte më i qetë se normalisht, me qeverinë që reduktoi ndjeshëm sasinë e fishekzjarreve të hedhur për shkak të smogut që po mbyt pjesë të mëdha të Kinës verirore.

Megjithatë, kjo nuk pengoi miliona njerëz të dilnin nëpër rrugë për të festuar. Kërcimi tradicional i luanëve dhe dhuratat për tempujt, që besohet se sjellin fat të mirë, janë elemente të pandashëm të kësaj ngjarje.

“Kërcimi i luanëve në Kinë është diçka festive, si një lloj hajmalie fatsjellëse. Pikërisht për këtë arsye kaq shumë spektatorë vijnë për ta ndjekur atë”, shprehet Lu Lei, kërcimtar.

E kuqja është ngjyra që simbolizon festën, e sipas traditës dritaret e dyer dekorohen me figura e vargje të kuqe prej letre të krijuara me temën e fatit të mirë, jetëgjatësisë e lumturisë. Sipas zodiakut kinez, njerëzit e lindur në vitin e gjelit janë të guximshëm të përgjegjshëm dhe të përpiktë. Ky vit, e gjen Kinën të zhytur në pasiguri të reja, me ekonominë që e ka ngadalësuar hapin dhe sinjaleve të Donald Trumpit, për ndryshime të marrëdhënieve mes 2 ekonomive më të fuqishme në botë.

Në prag të vitit të ri hënor, ndodh edhe migrimi masiv më i madh njerëzor, me qindra milionë punonjës që udhëtojnë me trena, autobusë dhe anije për të kaluar festën me familjet e tyre. Aktivitete festive u organizuan edhe në Indonezi, Maljazi, Australi e pjesë të tjera të botës. Statuja  e Krishtit në Rio De Janeiro u ndriçua me të kuqe me rastin e festës.

Top Channel