Kosovë, ndryshimi i ligjit për FSK-në diskutohet në Kuvend

27/01/2017 00:00

Në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Komisioni për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është propozuar të ndryshohet ligji për FSK-në. Lidhur me këtë çështje pritet të mbahet një debat në Parlamentin e Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Daut Haradinaj, ka konfirmuar se sot është protokolluar në Kuvend lista me nënshkrime ku kërkohet një debat parlamentar për ndryshimin e ligjit për FSK-në.

“I kemi dorëzuar në Kuvend nënshkrimet për mbajtjen e një debati parlamentar. Është protokolluar sot”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se nënshkrimet nuk i kanë dhënë deputetët e PDK-së dhe LDK-së. Sipas Haradinajt, ata ishin shprehur se nuk i kanë marrë mendimet nga partitë, por përkundër kësaj është arritur kriteri për ta nisur debatin në Parlament.

Në anën tjetër, deputeti i Nismës për Kosovën, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, Zafir Berisha ka thënë se këta deputetë ani pse në Komision ishin pajtuar të ndryshohet ligji, ata nuk kanë qenë “pro” nisjes së debatit.

“Ka dal edhe si ide nga takimi i fundit që në kuadër të nevojës që të bëhet një presion pozitiv, t’i qasemi më seriozisht ndryshimit të ligjit. Aty ka qenë një gjuhë unike e gjithë përfaqësuesve të partive politike, por sot nuk u përgjigjen pozitivisht deputetët e PDK-së dhe LDK-së sepse me gjasë shefat e tyre nuk ua kanë dhënë “izën” që të futen në një debat publik që është iniciuar dhe sot është dorëzuar për procedurim në Kuvend”, ka thënë ai.

Berisha është shprehur se formimin e ushtrisë së Kosovës e ka bllokuar (siç e quan ai) partia e Vuçiçit, Lista Srpska, por që duke parë gjendjen e sigurisë në rajon, është e domosdoshme të veprohet për transformimin e kompetencave të FSK-së.

Top Channel