Haradinaj, brenda dy javësh në seancën e radhës

27/01/2017 00:00

Avokati i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, Arianit Koçi, ka njoftuar se seanca e radhës për ish-kryeministrin kosovar do të mbahet brenda dy javësh.

Njoftimi i tij erdhi përmes rrjetit social “Facebook”. Haradinaj ndodhet në liri me kusht në Francë, pas arrestimit që iu bë nga policia franceze gjatë një udhëtimi të tij atje, për shkak të një urdhërarresti serb, sipas të cilit ai akuzohet për krime lufte.

Për këto akuza, Haradinaj është gjykuar në Gjykatën e Hagës dhe ka fituar dy herë pafajësinë. Pas arrestimit, ai doli para Gjykatës së Colmarit, nga ku doli nga masa e arrestit, por me kushtin që të mos largohej nga Franca.

Për arrestimin e tij pati reagime të shumta, nga Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshi BE-në, ndërsa nga Serbia u kërkua ekstradimi i tij me pretekstin se ekzistojnë prova të reja që e akuzojnë atë.

Top Channel