Atletico Madrid dhe PSG, kalendar “ferri” për Barçën

27/01/2017 00:00

Do të jetë Lionel Messi kundër Antoine Griezmann, kryeqyteti kundër provincës që kërkon shkëputjen nga mbretëria spanjolle, por mbi të gjitha Atletico Madrid kundër Barcelonës. Kupa e Mbretit i ka rezervuar një short të vështirë pretendentëve për trofeun që shpresonin të luanin mes tyre të paktën në finale dhe jo në sfidën që pret pikërisht biletën për ndeshjen e fundit.

Atletico do të presë Barcelonën në 1 shkurt dhe më pas një javë më vonë do të udhëtojë në “Camp Nou” për të certifikuar ekipin e parë që do të shkojë në finale. Katalanasit e kanë fituar trofeun plot 28 herë, një shifër rekord e pasuruar në dy sezonet e fundit nën drejtimin e Luis Enrique-s. Si për ironi të fatit, dy ekipe që as nuk priteshin në gjysmëfinale, Celta Vigo dhe Alaves do ta kenë mes tyre diskutimin për të shkuar në finale.

Shkurti është muaji më i shkurtër i vitit, por për formacionin blaugrana rezervon një kalendar ferri të ngjeshur. Plot tre ndeshje skuadra katalanase do t’i ketë vetëm me Atletico Madridin, dy në kuadër të kupës, një në La Liga.

Përballje e vështirë do të jetë edhe ndeshja me PSG-në në Champions League, ndërsa e lehtë nuk do të jetë as ndeshja me Bilbaon. Barça do të udhëtojë edhe në fushën e Alaves, skuadër që e mposhti këtë edicion në “Camp Nou”. Ndeshjet me Gijon dhe Leganes llogariten si më të lehtat.

Top Channel