Pengjet e Totozanit. Avokati rrëfen çfarë s’mundi të ndryshonte

27/01/2017 00:00

Në fund të mandatit të tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, Igli Totozani tregon se çfare i mbeti peng nga ato që nuk mundi të realizojë në 5 vite.

Në një intervistë për Top Channel, Totozani thotë se, nuk u arrit aq sa duhej për shtresat në nevojë, ndihmën për qytetarët romë dhe se donte që të kishte arritur miratimin e minimumit jetik.

Top Channel: Zoti Totozani, si po e mbyllni këtë mandat?

Igli Totozani: Shumë pengje që janë krijuar gjatë kësaj periudhe jam i sigurt, duke njohur natyrën time, se nuk do të më lënë të fle rehat.

Top Channel: A janë shumë pengjet tuaja?

Igli Totozani: Kur mendoj për këto 5 vite më kujtohen vetëm ato gjëra që nuk kam arritur t’i bëj. Nuk kemi bërë sa duhet për shtresat në nevojë, do të dëshiroja të kishim bërë ndalimin e rënies së disa standardeve të fituara në kohë dhe do kisha dashur shumë të ishte miratuar minimumi jetik.

Top Channel: A ndryshon puna e Avokatit të Popullit në Shqipëri me ato në vendet e zhvilluara?

Igli Totozani: Mendoj se zemra e Avokatit të Popullit në Shqipëri rreh më ndryshe nga ajo e një kolegut tim në vende të tjera, sepse është një institucion që punon në kushte jo doktrinare, por në kushtet e emergjencës së përgjithshme, së përditshme.

Top Channel: A jeni i zhgënjyer nga politika?

Igli Totozani: Nuk jam i zhgënjyer nga klasa politike, sepse edhe pritshmëritë nuk kanë qenë të jashtëzakonshme. Do të më kishte pëlqyer edhe mua të më kishin njohur më mirë për të kuptuar se edhe nëse kam ngritur zërin për çështje të caktuara gjatë këtyre 5 vjetëve, asnjëherë nuk është bërë për çështje personale.

Top Channel: Sa larg politikës është institucioni i Avokatit të Popullit?

Igli Totozani: Nëse nuk është i pavarur nga politika, atëherë nuk ka arsye të ekzistojë.

Top Channel