Viti i Ri kinez, spektakël në Pekin e Sidnej

27/01/2017 00:00

Kina është gati të mirëpresë Vitin e Gjelit me një spektakël madhështor, plot ngjyra e performanca mbresëlënëse. Festivali pranveror, apo “Chunwan” siç njihet në vend, transmetohet nga televizioni shtetëror “CCTV” dhe shpalos rreth 40 shfaqje, ndër të cilat shumica me kërcime, këngë e humor.

Shfaqjet akrobatike dhe numrat e shpejtësisë konsiderohen si pikat më të forta të galasë, bashkë me operat tradicionale kineze të shkollave të ndryshme.

Përpos skenës qendrore pranë godinës së televizionit “CCTV” në Pekin, 4 ambiente gjigante në Shanghai, Xichang, Guilin dhe Harbin, që përfaqësojne lindjen, perëndimin, jugun dhe veriun e vendit, do të mirëpresin spektatorë e do të kenë lidhje të drejtpërdrejta me galanë.

Që prej vitit 1983, Festivali pranveror është bërë shoqërues i pandashëm i familjeve kineze në vigjilje të Vitit të Ri, duke u kthyer në spektaklin më të ndjekur në historinë e këtij vendi.

Ndërkohë, Australia është vendi që organizoi aktivitetet më të mëdha festive me rastin e Vitit të Ri kinez, jashtë Azisë. Shtëpia e famshme e Operas në Sidnej u ndriçua me të kuqe, ndërsa qytetarët e vizitorët ndoqën kërcimet tradicionale kineze dhe spektaklin e fishekzjarreve. Sipas organizatorëve, aktiviteti që zgjat nga 27 janari deri më 12 shkurt pritet të joshë rreth një milion turistë.

Top Channel