Kryestrategu i Trump, Bannon: Në SHBA, mediet janë opozita

27/01/2017 00:00

Kryestrategu i presidentit Donald Trump tha se, mediet në SHBA janë parti opozitare, ndërsa i nxiti të mbanin gojën mbyllur.

Stephen Bannon deklaroi gjithashtu për “New York Times” se organizatat mediatike u poshtëruan nga fatki që dhanë humbës në zgjedhje Donald Trumpin.

Medie të ndryshme janë përballur me Shtëpinë e Bardhë për numrin e njerëzve që morën pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trumpit. Ato kanë kundërshtuar gjithashtu pretendimet e presidentit për miliona vota ilegale.

Në një intervistë telefonike me “New York Times”, Bannon tha se medieve duhej t’u vijë turp nga poshtërimi që pësuan dhe të mbyllin gojën e të dëgjojnë.

“Opozita këtu te ne janë mediet dhe jo Partia Demokratike. Mediet nuk e kuptojnë këtë vend dhe ende nuk e kuptojnë pse Donald Trump është president i Amerikës”, deklaroi Bannon.

Gjatë intervistës, ai përdori termat mediet më të njohura apo mediet elitë, megjithëse nuk ngurroi të përmendte me emër “New York Times” dhe “Washington Post”. Sipas “New York Times”, Bannon foli qetësisht dhe mjaft hapur, por nuk munguan parregullsitë, për të mos thënë gjënjeshtrat.

Top Channel