Holokausti, të mbijetuarit kujtojnë çlirimin e Aushvicit

27/01/2017 00:00

Disa prej të mbijetuarve të fundit të Holokaustit u mblodhën në ish-kampin e vdekjes së Aushvicit të premten, me rastin e 72-vjetorit të çlirimit të tij nga trupat sovjetike në vitin 1945 dhe Ditës Përkujtimore të Holokaustit.

Mes 1.2 dhe 1.5 milionë njerëz vdiqën në kampet e Aushvicit dhe Birkenaus gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumica e të cilëve hebrenj. E mbijetuara Halina Skalmierska ishte 11 vjeç, kur mbërriti në kamp.

“Po mendoja për tmerret që kam kaluar. Kur dolëm prej këtej nuk kishim më shtëpi e as prindër. Por duhet të vazhdonim jetën”, thotë ajo.

Ndërsa Halina Zalewska ishte vetëm dy vjeç, kur shkeli për herë të parë në Aushvic, ku e gjithë familja e saj hebreje ishte sjellë nga Bjellorusia.

“Nëna jonë mund të na shihte vetëm një herë në muaj për gjysmë ore. Ne fëmijët as nuk e dinim se kush ishte nëna jonë”, rrëfehet ajo.

Pasi humbi të dy prindërit në kampin e vdekjes, Zalewska u adoptua nga një familje polake pas luftës dhe mësoi mbi rrënjët e familjes së saj vetëm 20 vite më vonë. Të mbijetuarit vizituan gjithashtu një ekspozitë të re në kamp, e quajtur “Arkeologji”, me objekte personale të viktimave të Aushvicit, të pashfaqura më parë.

Godinat e kampit famëkeq po u nënshtrohen punimeve më të avancuara konservuese, për t’i ruajtur ato si dëshmitare të heshtura të tmerreve të përjetuara atje. Parlamenti gjerman u bëri gjithashtu homazh miliona të torturuarve dhe të vrarëve gjatë nazizmit, siç tha kreu i Bundestagut Norbert Lammert. Ky i fundit foli për një lidhje të ngushtë mes eutanazisë dhe gjenocidit ndaj hebrejve europianë. Kancelarja Angela Merkel, presidenti Joakim Gauck dhe ministrat ishin mes të pranishmëve.

Top Channel