Trump kërkon plan më agresiv në luftën ndaj ISIS

27/01/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump po përgatit një direktive për Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, në mënyrë që të hartojë një plan më agresiv veprimi në luftën kundër ISIS-it. Lajmin e përcjell “New York Times”, që citon funksionarë të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo lëvizje, sipas medies prestigjioze amerikane, mund t’i hapë rrugën dërgimit të artilerisë tokësore për të sulmuar kryeqytetin e kalifatit islamik, Raqqa. E përditshmja ameriane shkruan se, kreu i Shtëpisë së Bardhë do t’i kërkojë Pentagonit që t’i paraqesë atij opsionet e reja brenda 30 ditëve.

Gjatë fushatës presidenciale, republikani tha në mënyrë të përsëritur se kishte një plan sekret për mposhtjen e Shtetit Islamik. Ndërkohë, kryeministrja britanike Theresa May bëhet e para udhëheqëse e huaj që takohet me presidentin Trump, që kur ai mori zyrtarisht detyrën më 20 janar.

May mbërriti mbrëmjen e së enjtes në SHBA, me mesazhin se të dyja vendet duhet të ripërtërijnë marrëdhënien e veçantë mes tyre, përballë asaj që e quajti epoka e re. Gjatë një takimi me udhëheqësit republikanë në Filadelfia, kryeministrja britanike deklaroi se Britania e Madhe dhe Amerika nuk mund t’i ktheheshin ndërhyrjeve të dështuara ushtarake, por megjithëse sugjeroi një ndryshim të politikave, ajo theksoi se dy vendet nuk do të qëndronin duarkryq përballë rreziqeve reale.

Më pas, May u bëri homazh të rënëve në luftë, në varrezat kombëtare të Arlingtonit, duke vendosur një kurorë lulesh te varri i ushtarit të panjohur. Takimi, edhe pse gjerësisht simbolik, ka rëndësi të veçantë për të dy udhëheqësit. Trump, jo vetëm e mbështeti publikisht largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, por edhe vet triumfin e tij në garën presidenciale e përshkroi si versionin amerikan të “Brexit”-it.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe tërheqja e Trumpit nga marrëveshja e partneritetit transpaqësor do të kërkojnë negocimin e marrëveshjeve të reja të tregtisë në të gjithë botën.

Top Channel